Kalo te përmbajtja
Medresa
Të gjitha lajmet

U përcoll solemnisht gjenerata XV e maturantëve dhe gjenerata XI e maturanteve të Medresesë “Mehmed Fatih”

Në sallën e QKI-së “Budo Tomović” në Podgoricë u mbajt akademia solemne me rastin e përcjelljes së gjeneratës XV të maturantëve dhe gjeneratës XI të maturanteve të Medresesë “Mehmed Fatih”.

Në prani të të ftuarve të shumtë, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, ambasadores së Republikës së Turqisë në Mal të Zi, SH.T.Z. Ayda Ünlü, prindërve, profesorëve, miqve të shkollës dhe mysafirëve nga jeta shoqërore dhe publike, u shënua solemnisht përfundimi i shkollimit të një gjenerate tjetër nxënësish dhe nxënësesh, të cilët largohen nga Medreseja duke mbartur dije, edukatë, kujtime dhe vlera të thurura në vitet e kaluara në këtë institucion arsimor.

Programin e hapi drejtori i Medresesë, Amer ef. Šukurica, i cili iu drejtua maturantëve, prindërve të tyre, profesorëve dhe mysafirëve të pranishëm. Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e dijes, edukatës, moralit dhe përgjegjësisë që Medreseja përpiqet t’i zhvillojë te nxënësit e saj.

“Sonte para nesh mblidhen katër vjet të punës dhe mundit tonë. Sot përcjellim edhe një gjeneratë maturantësh. Le të kujtojmë çfarë përfaqëson Medreseja për të gjithë ne. Para së gjithash, të dashur prindër, për ju ajo është vendi i edukimit të fëmijëve tuaj, prej nga ata dalin si forca jonë më e madhe për të ardhmen. Të dashur profesorë, faleminderit për durimin dhe punën e përkushtuar. Të dashur nxënës, sot jeni në një pikë kthese të jetës suaj. Nga shkolla jonë largoheni më të pjekur, më të përgatitur dhe më të përgjegjshëm. Të nderuar miq të Medresesë, themeli i institucionit tonë është puna, mundi dhe përkushtimi. Falënderojmë Qeverinë e Malit të Zi për mbështetjen. Falënderoj edhe agjencinë TIKA për mbështetjen e vazhdueshme dhe të çmuar, si dhe të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë vendosur një pjesë të vetes në këtë institucion”, tha, ndër të tjera, drejtori Šukurica.

Të pranishmëve iu drejtua edhe reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat ef. Fejzić, i cili u përcolli maturantëve mesazhe mbështetjeje dhe inkurajimi, duke theksuar rëndësinë e arsimit, ruajtjes së identitetit, përgjegjësisë ndaj bashkësisë dhe shërbimit ndaj shoqërisë përmes dijes, karakterit dhe fisnikërisë.

“Dëshiroj në fillim t’i uroj të gjithë ata që deri tani e kanë udhëhequr këtë institucion arsimor, i cili sot është në moshë madhore. Shfrytëzoj rastin t’u uroj gjithashtu të gjithë qytetarëve të Malit të Zi 20 vjetët e pavarësisë së shtetit. Rruga që kemi përshkuar ka qenë e vështirë. As vetë, në fillim, nuk isha i vetëdijshëm për madhësinë e këtij institucioni. Pas sfidave të shumta, arritëm të ndërtojmë një institucion arsimor të respektuar. Fëmijë të dashur, ju uroj gjithë të mirat në jetë. Mbani mend: jini njerëz që të jeni besimtarë. Ruani veten, bashkësinë tuaj, familjet, miqtë dhe shtetin tuaj. Ky është detyrimi ynë. Të dashur prindër, faleminderit për besimin. Besoj se, pas katër vjetësh, fëmijët jua kthejmë si personalitete të formuara, të paktën një nuancë më të mirë se kur erdhën te ne”, porositi reisi Fejzić.

Në kuadër të programit solemn performoi kori i Medresesë “Mehmed Fatih”, paraqitja e të cilit e fisnikëroi edhe më tej atmosferën e akademisë dhe i dha këtij eventi një ton të veçantë festiv.

Gjatë akademisë u ndanë diplomat për maturantët dhe maturantet, ndërsa mirënjohje të veçanta u ndanë për nxënësit e gjeneratës, të cilët gjatë shkollimit u dalluan me sukses, angazhim dhe sjellje shembullore. Çmimet ua dorëzuan ministrat në Qeverinë e Malit të Zi, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi.

Nxënëset e gjeneratës janë:

  • Elisa Micović
  • Esma Kajoshaj
  • Merjem Ramović

Moment i veçantë i ceremonisë ishte dorëzimi i mirënjohjes koordinatores së TIKA-s, Nihal Ersoy, për kontributin dhe mbështetjen në punën e Medresesë “Mehmed Fatih” dhe në arsimimin e të rinjve. Mirënjohjen ia dorëzoi reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat ef. Fejzić.

Akademia solemne përfundoi me fotografimin e përbashkët dhe me lutje për suksesin e maturantëve dhe maturanteve, të cilët emrin e shkollës së tyre do ta mbartin si vlerë, nder dhe detyrim të përhershëm në rrugën e mëtejshme të jetës.

Ceremonisë i ndoqën përfaqësues të Qeverisë së Malit të Zi, ministra, deputetë të Kuvendit të Malit të Zi, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Mal të Zi, SH.T.Z. Ayda Ünlü, përfaqësues të Bashkësisë Islame, prindër, profesorë, miq të Medresesë dhe të ftuar të shumtë nga jeta shoqërore, kulturore dhe publike.